Lajme

​Në Belle të Deçanit përurohet lapidari i dëshmorëve dhe martirëve

​Në Belle të Deçanit përurohet lapidari i dëshmorëve dhe martirëve
13:42 | 06 Maj 2021

Në fshatin Belle të Deçanit është përuruar “Lapidari i Dëshmorëve”, për çka u tha se secili nga emrat e skalitur në këtë pllakë është shembull i jashtëzakonshëm i sakrificës. Në Ditën e Dëshmorëve, kryetari i AAK-së dhe i Deçanit, kanë kujtuar të rënët e këtij fshati, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kthehen në rrënjët e tyre.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kthimi te rrënjët për shqiptarët është identifikim. Secila nga trevat ku kanë jetuar shqiptarët, siç tha ai, ka histori.

Haradinaj: Kthehuni në rrënjët tuaja

“Ju ftoj që t’i kthehi rrënjëve tuaja edhe të ktheheni adresave tuaja të para të paraardhësve tuaj, sidomos tani kur e kemi edhe përkrahjen e institucioneve të vendit me këtë rast të kryetarit të komunave. Njëkohësisht kjo rrugë që na lidh me Plavën, e shihni që na lidh me Plavën por na lidh edhe me sakrificën tonë që dikur nuk ka qenë e ndarë në kufi. Pra, shqiptarët kanë jetuar në të gjitha këto treva dhe në secilën nga këto treva ka histori, po iu siguroj që historia e Belles është e veçantë. Nderi juaj e Belles dhe njerëzve tuaj vazhdoi edhe në kohën e luftës së UÇK-së”, tha ai.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj theksoi se lapidari i përuruar sot është pjesë e historisë së Deçanit, dhe se emrat e skalitur këtu janë shembuj të jashtëzakonshëm të sakrificës.

Ramosaj: Ndjehem i priviligjeruar që si komunë kemi filluar investimet e para në këtë vend

“Në shenjë përkujtimi deri në përjetësi për dëshmorët e luftëtarët e Belles, të të gjithë brezave pa dallim që nga Lidhja e Prizrenit të vitit 1878 e deri te lufta heroike e UÇK-së të vitit 1999, po e ngrisim këtë lapidar i cili do të shndrit për mote bri rrugëve Deçan-Plavë. Në këtë moment e ndjej vetën tepër të privilegjuar dhe me fat që pata rastin që si komunë të fillojmë me investimet e para në këtë vend kaq të rëndësishëm për Deçanin dhe për mbarë Kosovën”, tha Ramosaj.

Më tej, i pari i kësaj komune theksoi se të gjithë brezat duhet të mësojnë për historinë. Ai u zotua para qytetarëve se do bëjnë investime në këtë fshat.

Ramosaj: Do të bëjmë realizimin e të gjitha projekteve

“Përpos këtij lapidari ne tashmë kemi filluar që të bëjmë Bellen. Të bëjmë investime në ujësjellës, elektrefikim, restorante, restaurimin e kullave që janë tepër jetike për komunën e Deçanit. Sot më lejoni që të bëjë edhe një premtim për përkushtimin tonë që nuk do të jetë i munguar, që të bëjmë realizimin e të gjithave atyre projekteve që tashmë qytetarët e Komunës së Deçanit e të Republikës së Kosovës janë në dijeni për vazhdimësinë e tyre”, ka deklaruar Ramosaj.

Në emër të fshatit Belle foli edhe Hasan Lulaj, i cili tha se vendosja e kësaj pllake përkujtimore, do të jetë përkujtim për të vrarët dhe mësim për brezat e rinj.

Lulaj: Sot po na dalin përpara të gjithë të masakruarit

“Sot po ringjallim bellagjinjtë e vrarë nga hardhitë barbare dhe serbo-malazeze në vitin 1913. Sot po na dalin përpara të gjithë të masakruarit dhe po na falënderohen për këtë gjest madhor. Sot Ramiz Zeka, atëherë i moshës 6 vjeçare, i mbijetuari i asaj masakre po i shërohen plagët. Në këtë vend më shumë se 100 vjet u vranë dhe masakruan meshkujt të këtij fshati. Përveç se u vranë nga barbarët edhe u dogjën e u shkatërruan të gjitha shtëpitë e Belles”, theksoi ai.

Për nder të Ditës së Dëshmorëve, gjatë ditës janë mbjellë edhe lule në qendër të qytetit, në rrugës “Dëshmorët e Kombit”.

1 abonim, 3 paisje, 240 kanale shqip – NimiTV në gjithë Evropën për vetëm 99.90€ për 12 muaj

Të tjera