[wp-story]

Lajme

​Ministri Mehaj përcjellë nga afër aktivitetet trajnuese të Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë

​Ministri Mehaj përcjellë nga afër aktivitetet trajnuese të Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë
16:28 | 22 Prill 2021

Në vazhdën e vizitave në njësitë e FSK-së, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj vizitoi sot Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë të Komandës së Forcave Tokësore, me qëllim të informimit nga afër me të arriturat, zhvillimet, aktivitetet dhe sfidat e saj.

Në kazermën “Minatori” në Mitrovicë, ministrin Mehaj, i shoqëruar nga zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi dhe komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, e priti zëvendëskomandanti i Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë, major Ilir Beqiri.

Major Beqiri njoftoi ministrin Mehaj me informacionet e përgjithshme për strukturën organizative dhe operacionale, të arriturat e deritashme si dhe planet e njësisë për të ardhmen.

Për t’u njohur me procesin e integrimit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në këtë njësi, ministri Mehaj takoi disa nga ta me të cilët bisedoi për çështje që ndikojnë në procesin integrues në FSK.

Në vazhdim, ministri Mehaj vizitoi poligonet e stërvitjes taktike në Cërrnushë për të përcjellë nga afër demonstrimin e aktiviteteve trajnuese sipas planit paraprak të njësisë në operacione sulmuese të këmbësorisë, inxhinierisë luftarake si dhe operacione urbane.

Ministri Mehaj shprehu vlerësimin e lartë për punën, disiplinën dhe profesionalizmin e lartë duke siguruar se me përvojën e tij profesionale dhe autoritetin e ministrit të Mbrojtjes do të intensifikojë veprimet për rrugëtimin e suksesshëm të FSK-së përpara.

Pjesëtarëve të Regjimentit të Tretë iu drejtua edhe gjeneral Hadërgjonaj, në prag të përfundimit të karrierës së tij aktive ushtarake, duke shprehur impresionet e thella që si komandant i Forcave Tokësore ka drejtuar e komanduar ushtarakë e ushtarake të nivelit të shkëlqyer.

Vizitën e ministrit Mehaj, stafi komandues i njësisë, e vlerësuan lart si mbështetje të madhe në funksion të motivimit të duhur të pjesëtarëve të FSK-së për punë të suksesshme edhe në të ardhmen, thuhet në një komunikatë për media.

Kush ështe kosovari THE VICTOR që synon tregun e jashtëm? (video)

Të tjera