Lajme

​Likaj kërkon që reformat të shtyhen për një vit në Kamenicë, Kastrati nuk tërhiqet

​Likaj kërkon që reformat të shtyhen për një vit në Kamenicë, Kastrati nuk tërhiqet
18:02 | 23 Shtator 2020

Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga reformat e ndërmarra në arsim, ani pse një shtyrje prej një viti të zbatimit të kësaj reforme po e kërkon Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Në Komisionin për Arsim, sot është diskutuar rreth reformave në arsim në Komunën e Kamenicës, ku pjesëmarrës kanë qenë ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj dhe kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati.

Ky i fundit ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga reformat në arsim, pasi sipas tij ato janë ndërmarrë për të mirën e nxënësve dhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Kastrati tha se trendi i rënies së numrit të nxënësve në komunën që e drejton është mbi 40 për qind, ndërsa tregoi se 25 klasë janë me nga një nxënës, 19 klasë me nga dy nxënës, 7 shkolla janë me më pak se 5 nxënës për shkollë dhe 12 shkolla janë me më pak se 20 nxënës për shkollë.

Ai tha se ajo çka po bëjnë është zbatimi i ligjeve dhe normave të Republikës së Kosovës dhe standardeve të organizimit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët që është kompetencë dhe obligim i nivelit lokal. Ndërsa, potencoi se nuk do t’i nënshtrohen presioneve politike.

“Me e shty nënkupton që të tërhiqet krejt, edhe për këtë do të pësojnë fëmijët në të ardhmen. Unë edhe një herë po e them sipas meje se është krejt, çka duhet tash është ministria, Komisioni Parlamentar i Arsimit ose Qeveria nuk po them as për të treguar a është e drejtë a nuk është e drejtë, veç le të dalin publikisht le të sqarojnë kompetencë e kujt është, veç kjo mjafton për ta pasur të qartë në momentin që e kanë të qartë qytetarët që kjo është çështje edhe kompetencë e komunës. Po tash unë e kuptoj që vitin tjetër do të ketë interesim edhe më shumë për të penguar dhe bllokuar, se jemi duke iu ofruar zgjedhjeve dhe njerëzit kalkulojnë”, tha ai.

Shtyrje të zbatimit të kësaj reforme për një vit ka propozuar ministri Likaj, i cili tha se ajo çka duhet të bëjnë është që nxënësit të vijojnë procesin mësimor.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që këta fëmijë t’i kthehen sistemit arsimor dhe do të kërkoja prej përfaqësuesve të prindërve dhe kryetarit Kastrati të kenë mirëkuptim, sidomos në këtë vit me të cilin po ballafaqohemi me pandemi. Ndërsa, ashtu, siç ju thash, në mars 2021 këta do ta kenë një studim të hollësishëm në nivel të Kosovës për riorganizimin e rrjetit shkollor, për arsye se është nevojë dhe kjo reformë duhet të ndodhë. Por, duke i pasur parasysh rrethanat, shtrirjen gjeografike të fshatrave të Komunës së Kamenicës, pastaj duke pasur parasysh kufizimet që i kanë atje me Serbinë, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike, sociale. Kërkesa jonë e vazhdueshme është që të dy palët të gjejnë mirëkuptim dhe të shtyjnë reformën edhe për një vit. Nxënësit, pa marrë parasysh, duhet të kenë qasje në arsim të obliguar”, tha ministri Likaj.

Një kërkesë të tillë ka pasur edhe deputeti i LDK-së Frashër Demaj, i cili tha se vendimi për riorganizim të shkollave duhet të shtyhet për një kohë të caktuar në mënyrë që të gjitha palët të japin kontributin në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes Shpejtim Bulliqi, ka kritikuar kryetarin e Kamenicës për reformën e ndërmarrë, duke thënë se nuk e ka pasur parasysh që të ruajë banorët në pjesën kufitare me Serbinë.

Madje, ai ka thënë se opinioni ligjor që kanë marrë nga Ministria e Pushtetit Lokal, ku ministër është Goran Rakiq nga Lista Serbe, tha se nga ai nuk kanë mundur të marrin mendim tjetër, pasi sipas tij ata kanë tentuar shumë herë për të mbyllur shkollat shqipe.

“Ju e dini që jeni një vend kufitar dhe obligativisht në kuptimin strategjik ju duhet t’i ruani banorët në ato pjesë kufitare dhe jo në një farë forme t’iu krijoni këtë mundësi që ata fëmijët e tyre t’i shkollojnë në lokalitetet e tyre dhe kësisoj të ndikoni drejtpërsëdrejti në zbrazjen e këtyre fshatrave edhe ashtu me numër të vogël të banorëve. Nëse e keni pyetur Rakiqin edhe ju ka dhënë Rakiqi vendim, nëse keni pritur vendim tjetër prej Rakiqit për t’i mbyllur shkollat në gjuhën shqipe ata kanë tentuar shumë herë me i mbyll këto shkolla qysh herët dhe tash mirë që keni bërë pyetje Rakiqit dhe iu paska dhënë përgjigje të mbyllni shkollat shqipe”, tha Bulliqi.

Atij i është përgjigjur kreu i Kamenicës Qëndron Kastrati, i cili tha se është fëmijë i një dëshmori dhe se kushdo që mundohet të shtyjë përpara se është plan i Millosheviqit, del qesharak.

Kastrati tha se përgjigjja që kanë marrë nga Ministria e Pushtetit Lokal është në kohën kur ajo udhëhiqej nga Emilia Rexhepi në Qeverinë e Albin Kurtit.

“Jam fëmijë i një dëshmori dhe që i ka mbajtur 11 vjet burg politik edhe më takon, sepse ka njerëz që mundohen ta shtyjnë këtë përpara se kjo është agjendë dhe plan i Millosheviqit dhe kjo bëhet me Rakiqin edhe është një agjendë që Serbia dëshiron ta bëjë në Kosovë. E kjo më shtynë më shumë me marrë përsipër se e di që në masë të gjanë kushdo që mundohet të shtyjë përpara një agjendë të tillë nuk mund të ketë efekt po del ndoshta edhe qesharak…Përgjigjja që e ka bërë ministri Rakiq nuk është e tij është përgjigja që ia ka bërë ministres Hykmete Bajrami në atë kohë kur ka qenë ministrja Emilia Rexhepi, unë veç i kam kërkuar një gjë të tillë me e procedua, do të thotë nuk është plan i tij”, tha ai.

Përplasje ka pasur edhe mes deputeteve Arta Bajralija e Vetëvendosjes dhe deputetes së AAK-së Teuta Haxhiu. Bajralija u shpreh se në komision do të flasë si qytetare e Kamenicës dhe jo si deputete, për çka ka reaguar deputetja Haxhiu duke i thënë se po bënë politikë.

“Bajralija: Unë nuk po flas si një deputete tani, po flas si një qytetare e Komunës së Kamenicës, nuk pata as të marrë fjalën në këtë mbledhje. Haxhiu: Qytetarë jemi krejt, mos na bë politikë këtu, kur të duash shko bë politikë, sot je në cilësinë e deputetes. Kur po doni flisni për masa, kur ju konvenojnë politikisht e sot këqyrë në çfarë niveli na keni prurë. Dhe nuk lejoni të bëjmë zgjidhje ose të konkretizohen gjërat. Je në cilësinë e deputetit, mos më thoni jam qytetare, sot je në cilësinë e deputetes”, vijoi përplasja mes tyre.

Deputetja e Vetëvendosjes Arta Bajralija ka vazhduar më tej duke thënë se komuniteti i Kamenicës nuk është duke e përkrahur reformën e kryetarit të Komunës.

“Nuk është e vërtetë që komuniteti janë duke e mbështetur këtë reformë, nuk është e vërtetë që vetëm disa individë dhe anëtarë partie janë duke e kundërshtuar, janë të gjitha takimet që janë mbajtur me banorët e fshatrave janë drejtpërdrejt dhe shihet që vetëm sa nuk kanë përfunduar me rrahje. Kjo tregon sa janë të pakënaqur janë qytetarët me këtë gjendje dhe me këtë reformë. Siç po shihet ka një kohë që nuk ke dal me qytetarët, sepse mjafton që t’iu përmendësh fjalën reformë dhe e kupton sa të irrituar janë me këtë”, tha ajo.

E kryetari Kastrati, tha se në fillim nga komuniteti i prindërve është përkrahur ideja e riorganizimit të shkollave. Por, ai tha se tashmë ata që po pretendojnë të jenë përfaqësues të popullit, janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në atë që po pretendohet se janë përfaqësuesit e komunitetit, përfaqësuesit e prindërve, unë me përgjegjësinë më të madhe Kamenica ju them këtu është në organizim një subjekt, është Lëvizja Vetëvendosje. Aty paraqiten si prind ata që madje nuk janë të martuar fare dhe paraqiten si prindër në ministri, paraqiten asamblistë dhe krejt tjerë. Unë veç diçka po ju lus, mos të bëjmë politikë për një grusht votash atje në një fshat. Nuk të vyejnë kurrgjë hiç 50 vota nëse ua shkatërrojmë fëmijëve edhe të ardhmen”, tha ai.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, ka kërkuar që asnjë nxënës të mos mbetet pa qasje në shkollë.

Kush ështe kosovari THE VICTOR që synon tregun e jashtëm? (video)

Të tjera